Ku mund të gjejmë një themel të mirë për vlerën tonë?- Nga Dr. Glynn Harrison
Glynn Harrison
8.29
1 June 2017
21 March 2026
Nga Dr. Glynn Harrison
Ku mund ta gjej vlerën time? Ka shumë mënyra për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Unë do të diskutoj tri prej këtyre mënyrave, gjëra në të cilat, sipas kulturës sonë, përpiqemi të bazojmë vlerën tonë.
E para është të fitosh vlerësim nga shoqëria, ose status shoqëror.
Ju e njihni ekonomistin e famshëm Adam Smith, i cili është quajtur babai i ekonomisë moderne. Para 200 vjetësh, ai bëri një pyetje: Pse jemi kaq të zënë ne njerëzit? Çfarë na shtyn të përpiqemi më tepër e të fitojmë më shumë para? A është vetëm që të kemi më shumë për të ngrënë dhe për të veshur? Përgjigja e tij ishte: Jo, është më shumë se kaq. Ne përpiqemi sepse duam të dukemi. Duam që të na vënë re e të na duan si qenie njerëzore. Një mënyrë për t’u ndier me vlerë është të fitosh status shoqëror.
Kjo gjë thuhet edhe në psikologji, e cila është një nga fushat e mia si akademik. Psikologjia e fillon trajtimin e kësaj teme duke vështruar sjelljen e pulave. Sjellja e pulave zakonisht paraqet të njëjtat rregulla si edhe sjellja e njerëzve. Një nga rregullat e sjelljes njerëzore pasqyron qartë një rregull të kotecit të pulave; i cili quhet rendi i çukitjes, e që për njerëzit do të përkthehej si rendi i uljes në tryezë. Ne na pëlqen të krijojmë hierarki e shkallë rëndësie, në të cilat njerëzit e rëndësishëm qëndrojnë në majë, e ata më pak të rëndësishëm në fund. Na duket sikur po të arrijmë në krye të shkallës, vlera jonë është e madhe, ndaj luftojmë për të fituar status dhe vlerësim, si p.sh, një makinë të madhe. Është shumë bukur të ngasësh një makinë të madhe, por edhe më e bukur është të të shohin që po e nget ti, gjë që të jep status. Pra, kjo është një mënyrë si përpiqemi të gjejmë vlerë sot.
Një mënyrë tjetër është përmes arritjeve.
Sa më shumë gjëra arrij, aq më mirë ndihem. Problemi me të dyja këto gjëra është se nuk janë domosdoshmërish nën kontrollin tënd. Mund të kesh një makinë të bukur, por pastaj biznesi yt falimenton dhe të duhet ta shesësh makinën. Ke një shtëpi të madhe, por pastaj plakesh dhe nuk të duhet një shtëpi e tillë, madje të kushton shumë ta mbash e ta pastrosh. Ke arritur status në punë, por ja që sëmuresh. Fiton shumë para, por pastaj të shkurtohet vendi i punës dhe nuk u duhesh më. Nëse vlerën e sheh te statusi dhe arritjet, ka gjasa të rrëzohesh lehtë. E pastaj cila është vlera jote? Sepse nëse bie nga shkalla, ndoshta nuk ke më vlerë.
Por është edhe një mënyrë e tretë me anë të së cilës kultura na thotë se mund të gjejmë vlerë: vetëvlerësimi. Vlerën tënde e përcakton ti vetë. Ti mund të marrësh vlerësim nga statusi, të gjesh vlerë tek arritjet, por kultura na thotë se tani mënyra më e mirë është ta vendosësh vetë vlerën tënde. Shih brenda zemrës dhe thuaj: Unë vlej, unë jam i/e veçantë, tërheqës/e për njerëzit, pozitiv/e për veten. E gjithë kjo duket mirë, pasi janë gjëra që nuk mund të t’i heqë askush.
Por eksperimentet psikologjike kanë treguar se thjesht këmbëngulja në vlerën tonë nuk funksionon dhe aq. Në fund ndihemi edhe më keq, sepse nuk është gjë tjetër veçse propagandë vetjake. E gjitha varet prej nesh. Ndaj i kthehemi sërish pyetjes: A ka vlera ime ndonjë bazë më të fortë se veç gjërat që them, statusi, arritjet a çfarëdo tjetër?
Këtu, mesazhi dhe ungjilli i krishterë kanë diçka tepër të rëndësishme për të thënë: Jezus Krishti erdhi në botë për të bërë dy gjëra. Erdhi të na zbulonte Perëndinë, se Kush është Ai; të na zbulonte çfarë nuk dinim dhe të vdiste në vendin tonë. Por ai erdhi të bënte edhe diçka tjetër: jo vetëm të na zbulonte se Kush është Perëndia, por edhe të na tregonte kush jemi ne vetë. Në Ungjillin e Gjonit thuhet se lajmi i mirë është ky: atyre që e pranuan Krishtin, atyre që pranuan mesazhin e Perëndisë, Ai u dha të drejtën të bëheshin ose të quheshin bij të Perëndisë. Dhe ne u bëmë bij të Perëndisë.
Kjo na tregon se jemi të dashur. Për më tepër, ne quhemi shërbëtorë të Vetë Perëndisë. Në fakt, Bibla thotë se ne jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe se jemi thirrur të shëmbëllejmë Atë në botë. Këtu bazohen vlera dhe domethënia jonë: se Zoti Vetë, përtej mendjes dhe imagjinatës sonë, vjen në zemrën tonë e na thotë se na do. Na thotë se jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Tij. Na thërret të kontribuojmë në botën e Tij dhe ta përafrojmë atë me shëmbëlltyrën e Tij.
Ky themel i vlerës sonë është i palëvizshëm, sepse është vendosur në Vetë Zotin. Në fakt, as që mund të mendoj për ndonjë themel tjetër më të sigurt vlere sesa fjala e Perëndisë.
Përktheu për www.unebesoj.org: Brunilda Rustani
